Takim mbi masat e marra si dhe planet e veprimit të hartuara nga ana e tyre mbi mbarvajtjen e festave të fundvitit dhe fillimit të Vitit të Ri 2024.

Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani organizoi sot një takim ku ishin të pranishëm përfaqësues të Institucioneve të administratës shtetërore që ofrojnë shërbime ndaj komunitetit në lidhje me masat e marra si dhe planet e veprimit të hartuara nga ana e tyre mbi mbarvajtjen e festave të fundvitit dhe fillimit të Vitit të Ri 2024.

Në fjalën e tij Prefekti theksoj faktin se ndodhemi përpara festave të fundvitit, çdo Institucion duhet të hartoj planet e masave sipas fushave të tyre të përgjegjësisë ku të jenë përcaktuar qartë objektivat dhe detyrimet nëpërmjet të cilave të synohet rritja e rendit dhe sigurisë publike dhe ofrimin e shërbimeve sa më të plota ndaj komunitetit. Është e rëndësishme që këto ditë festive të shoqërohen nga një frymë e plotë sigurie, rendi dhe qetësie.

Gjithashtu, në kuadër të masave parandaluese për përballimin e situatave të mundshme emergjente përgjatë kësaj periudhe, Prefekti i Qarkut kërkoi nga të gjithë strukturat, gadishmëri të plotë, bashkëpunim dhe bashkërendim të punës mes tyre .

Në mënyrë të veçante, nga Drejtoria e Policisë u kërkua gadishmëri e plotë me qëllim sigurimin e rendit dhe qetësisë, si dhe parandalimin e veprave kriminale, gjithashtu Policia Rrugore duhet të ketë në vëmendje akset rrugore për një qarkullim sa më normal të automjeteve, si dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Nga ana tjetër për garantimin e rendit është i nevojshëm shtimi i efektivëve në terren dhe kalimi në shërbim të përforcuar.

Prefekti kërkoi një vëmendje të veçantë nga Policia Kufitare dhe Migracionit në lidhje me hyrje daljet e vizitorëve dhe udhëtareve në vendin tonë. Është një periudhë ku shtohet fluksi i hyrje daljeve, prandaj duhet të bashkërendohet puna me qëllim shmangien e rradheve të gjata.

Bashkëpunimi mes institucioneve të pranishme e veçanarisht midis Policisë së Shtetit dhe Policive Bashkiake është thelbësor për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Në fund të takimit Prefekti duke falenderuar edhe një herë për bashkëpunimin gjatë këtij viti me të gjithë Institucionet, uroj për festat e fundvitit si dhe një Vit të Ri të mbarë.