Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani në kuadër të marrjes së masave paraprake për përballimin dhe menaxhimin e situatave të mundshme emergjente përgjatë sezonit vjeshtë – dimër 2023,

Ditën e sotme, Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani në kuadër të marrjes së masave paraprake për përballimin dhe menaxhimin e situatave të mundshme emergjente përgjatë sezonit vjeshtë – dimër 2023, organizoi një takim me fokus rritjen e gatishmërisë dhe të bashkëpunimit midis strukturave të cilat kanë në administrim kanalet kulluese, ujitëse dhe rezervuarët.

Në këtë takim ishin të pranishëm: Drejtori i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, Drejtori i Ndërmarrjes Rruga Bashkia Durrës, Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Përgjegjësi i Sektorit të Ujitjes dhe Kullimit Bashkia Shijak, Përgjegjësi i Sektorit të Ujitjes dhe Kullimit, Bashkia Krujë.

Emergjencat civile janë një nga fushat prioritare të përgjegjësisë së Institucionit të Prefektit dhe si të tilla kërkojnë angazhimin tonë maksimal për të marrë në kohë të gjitha masat dhe për të aktivizuar të gjitha kapacitetet logjistike dhe njerëzore në funksion të minimizimit të rrisqeve potenciale.

Nisur nga kjo, Institucioni i Prefektit ka kërkuar angazhim të shtuar të të gjitha strukturave vendore që të monitorojnë intensivisht territoret e tyre të përgjegjësisë në raste të problematikave si pasojë e rreshjeve duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet aktuale në nivel bashkie dhe jo vetëm.

Në takim u diskutua mbi masat parandaluese, mbrojtëse dhe reaguese, që duhet të merren nga bashkitë dhe Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, për përballimin e emergjencave sezonale dimërore për funksionimin e strukturave të emergjencave në bashkitë respektive, identifikimin e burimeve financiare dhe njerëzore, gjendjen teknike të stacioneve të hidrovorit dhe rezervuarët, pastrimin e kanaleve, mirëmbajtjen e agjinaturave, etj.

Masat e marra në kohën e duhur, do të bëjnë të mundur rritjen e efikasitetit të çdo strukture, për parandalimin, parapërgatitjen, përballimin dhe minimizimin e dëmeve nga rreziku i rreshjeve.