Takim I zgjeruar dhe informues mbi çështjet dhe problematikat e mbrojtjes civile në Qarkun Durrës.

Prefekti i Qarkut Durrës Z. Emiljan Jani në cilësinë e Drejtuesit të Komisionit të Mbrojtjes Civile të Qarkut Durrës ishte i pranishëm sot në një takim të zgjeruar dhe informues mbi çështjet dhe problematikat e mbrojtjes civile në Qarkun Durrës. Ky takim u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministrit të Mbrojtjes Z.Pirro Vengu, Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Z.Haki Çako, Kryetares së Bashkisë Durrës Znj.Emiriana Sako, Kryetarit të Bashkisë Shijak Z.Elton Arbana dhe gjithë Strukturave të Mbrojtjes Civile të Qarkut Durrës.

U diskutua dhe u shkëmbyen mendime mbi çështjet që kanë të bëjnë me investimet ne fushën e mbrojtjes civile, me synim forcimin e strukturave vendore në drejtim të rritjes së efektivitetit e vigjilencës, për të përballuar me sukses çdo situatë të mundshme emergjente në Qarkun Durrës.

Gjatë këtij takimi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shpalli thirrjen e aplikimit për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, për paraqitjen e projekteve të reja dhe ekzistuese, në kuadër të mbrojtjes civile.Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon tre Bashkive të Qarkut Durrës që të paraqesin projektet e tyre në:

1. Investimet në infrastrukturë ku do të pranohen projektet me një shumë totale financiare jo më të lartë se 100,000,000 lekë. Thirrja në këtë fushë përfshin edhe “Urat Bailey”.

2. Blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Këto mjete do të përdoren për përballimin e situatave emergjente të krijuara si pasojë e fatkeqësive natyrore.

3. Rehabilitimi i digave, ku kostoja totale e projektit nuk duhet të kalojë shumën prej 50,000,000 lekësh.

Ministria e Mbrojtjes rrit në këtë mënyrë vigjilencën për mbrojtjen civile, pasi me këtë thirrje të adresuar njësive vendore synon forcimin e strukturave vendore për të përballuar me sukses rastet e emergjencave.

Afati i fundit për paraqitjen e projekteve pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile është data 25 nëntor 2024.

Aplikimi mund të kryhet nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes: https://www.mod.gov.al/…/6795-mbrojtja-civile-akmc….