Analiza Vjetore e Punës së Institucionit të Prefektit për vitin 2025.

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës, z. Adrian Gurra, u zhvillua Analiza Vjetore e Punës së Institucionit të Prefektit për vitin 2025.

Kjo mbledhje u zhvillua me praninë e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhemal Qefalia, Këshilltarit të Ministres së Punëve të Brendshme, z. Flamur Mamaj, si dhe Drejtorit në detyrë të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues z. Afrim Tafa.

Përmes prezantimit të materialit të analizës vjetore u evidentua, në mënyrë të strukturuar dhe mbi bazën e treguesve konkretë e të matshëm, ecuria e punës dhe rezultatet e çdo veprimtarie të realizuar në funksion të zbatimit të politikave dhe përmbushjes së prioriteteve të Qeverisë në Qarkun Durrës gjatë vitit 2025.

Puna përgjatë vitit është karakterizuar nga ndërtimi i një marrëdhënieje bashkëpunimi institucional e reciprok me institucionet qendrore në nivel vendor, si dhe me organet e vetëqeverisjes vendore, duke garantuar bashkërendim efektiv të veprimtarive për realizimin e objektivave në përputhje me politikat sektoriale të Këshillit të Ministrave në qark.

Gjithashtu, gjatë vitit 2025, krahas përmbushjes së detyrave në përputhje me misionin dhe fushat e përgjegjësisë së çdo sektori, një vëmendje e veçantë i është kushtuar funksionimit të strukturave dhe mekanizmave Task-Forcë me përbërje ndërinstitucionale, me synim koordinimin e veprimeve dhe menaxhimin me eficiencë të situatave të veçanta. Këto mekanizma kanë luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e zgjidhjeve konstruktive, të përbashkëta dhe gjithëpërfshirëse, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të Qarkut Durrës.

Analiza nxori në pah në mënyrë të qartë veprimtarinë e institucionit për vitin 2025, ushtrimin me përgjegjësi të plotë të kompetencave ligjore, mënyrën e ndërtimit dhe forcimit të marrëdhënieve me institucionet qendrore dhe vendore, si dhe përcaktoi prioritetet strategjike të punës për vitin 2026.

Në përfundim, përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme vlerësuan pozitivisht punën dhe arritjet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar mbështetjen institucionale në drejtim të zhvillimit dhe promovimit të standardeve të reja, në funksion të rritjes së cilësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përmirësimit të rezultateve konkrete në shërbim të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *